“Pilula e urgjencës te të rinjtë përdoret gabim”, mjekja: Planifikimi familjar duhet të ridimensionohet në të gjitha nivelet

Shëndet | 9 muaj më parë

Pilulat e urgjencës për ndërprerje të shtatzëzanisë nga vajzat e grupmoshës 17–25 vjeç po përdoren gabim. Fenomeni shumë prezent vitet e fundit po kthehet në një zëvendësues i metodave të tjera kontraceptive, duke rrezikuar shëndetin.

Mjekët gjinekologë vlerësojnë se situata është pasojë e mosndarjes së informacionit të marrë në internet me mjekët, duke shkuar kështu në vendimmarrje aspak të shëndetshme.

“Pilulat e urgjencës janë hormone me dozë të lartë dhe përdoren në raste sporadike, në raste të veçanta. Por mungesa e informacionit ose mosndarja e informacionit që pacientet e reja kanë me mjekët i bën ato që të marrin vetëgjyqësi dhe të marrin medikamente që rrezikojnë shpesh herë ciklin e tyre menstrual. Vijnë shpesh me çrregullime të ciklit dhe kur kalojnë 1 ose 2 muaj, ato e kuptojnë dhe i drejtohen mjekut për këto çrregullime, dhe ku konsulta ridimensionon çdo gjë në planin mjekësor”, tha Enkeleda Prifti, shefe e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura nuk mund të zgjidhen gjithmonë me përdorimin e pilulës së urgjencës.

“Ato janë të rrezikuara nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Pra, vërtet ka shpëtuar nga një shtatzëni, por është e predispozuar për patologji të tjera më serioze”, thekson ajo.

Informacioni për planifikimin familjar dhe metodat kontraceptive gjendet me tepri në rrjetet sociale, por kanalizimi i tyre në shërbimet shëndetësore, sipas gjinekologes Prifti, duhet të riaktivizohet i ridimensionuar me nevojat e kohës.

“Kjo lidhet drejtpërdrejt me riaktivizimin e shërbimit familjar, që duhet të jetë më solid dhe më i aksesueshëm, mbase edhe në nivel të shkollave, që nga ato të mesme e deri në universitete, ku duhet të përcillet ky informacion”, nënvizon mjekja.

Ndërprerja e një shtatzënie në kushtet e emergjencës mbetet në themel një ngjarje e dëshpëruar dhe duhet të menaxhohet me qetësi dhe profesionalizëm vetëm nga mjekët.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme