Ndërprerje energjie në QSUT, Spitali reagon zyrtarisht: U aktivizuan gjeneratorët, jeta e pacientëve e pacenuar

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar mbrëmjen e sotme lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike që preku një nga godinat kryesore të kompleksit spitalor.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak është bërë një defekt në linjën e furnizimit me tension të lartë që furnizon Godinën A2.
Institucioni ka garantuar qytetarët dhe familjarët e pacientëve se pavarësisht shkëputjes së energjisë nga rrjeti, jeta e pacientëve nuk është rrezikuar në asnjë moment.
“Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit,” thuhet në deklaratën e QSUT.
Sipas njoftimit, menjëherë pas incidentit, ekipet mjekësore, teknike dhe ato drejtuese janë vendosur në gjendje gatishmërie të plotë, duke zbatuar protokollet e sigurisë për situata të tilla emergjente.
QSUT bën me dije se është ngritur menjëherë një grup pune për verifikimin e plotë të situatës dhe shkaqeve të defektit, ndërsa situata përshkruhet si “e menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




