Programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës zgjerohet për gratë 35–55 vjeç, Sala: Një hap i rëndësishëm për shëndetin e grave

Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të qafës së mitrës do të përfshijë një grupmoshë më të gjerë të grave përfituese, duke u zgjeruar nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç. Vendimi, i cili hyn në fuqi nga viti 2026, synon rritjen e ndërgjegjësimit për kontrollet mjekësore dhe uljen e rrezikut ndaj kësaj sëmundjeje.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi këtë hap si një investim të rëndësishëm për shëndetin e grave dhe për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri. Ajo theksoi se zgjerimi i fashës së grupmoshës është i bazuar në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend, rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Strategjinë Globale të OBSH-së për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës.
Sala shpjegoi se mosha mesatare e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri është 53 vjeç, çka tregon se depistimi duhet të nisë më herët dhe të mbulojë një periudhë më të gjerë rreziku.
Për ta bërë programin sa më të aksesueshëm dhe efektiv, ministrja nënvizoi se çdo vit gratë e kësaj grupmoshe do të marrin mesazhe njoftimi dhe kujtese në telefonin celular, përmes SMS-ve informuese. Këto mesazhe do t’i ftojnë gratë të drejtohen pranë qendrës shëndetësore ku janë të regjistruara, për kryerjen e testit HPV dhe marrjen e informacionit të duhur nga personeli shëndetësor.
Ajo e përshkroi depistimin si një proces të organizuar, të planifikuar dhe të barabartë për të gjitha gratë e grupmoshave specifike, duke theksuar se ky është një shërbim publik i garantuar falas nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në përfundim, Sala deklaroi se ky vendim është një investim për shëndetin e grave, për familje më të shëndetshme dhe për një shoqëri më të fortë. Sipas saj, parandalimi është forma më e mirë e kujdesit shëndetësor dhe forcon programet e depistimit.
Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




