“Gjyqtarja Irena Gjoka e dënuar në Greqi, e fshehu në vetëdeklarim”, Prokuroria i përcjell rezultatet e verifikimit KLGJ-së

Prokuroria e Përgjithshme ka verifikuar dhe më pas miratuar rezultatet e verifikimit të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit në 2016 nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka,. Këto gjetje, që erdhën pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Prokuroria ia ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor, e cila do të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me gjyqtaren.
Sipas informacioneve siguruar nga RTSH, bëhet me dije se Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se dokumenti që është publikuar është autentik dhe se gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi, fakt të cilin ajo vetë e ka fshehur në deklarim.
“Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




