Ndërprerja e dritave, shefi i Reanimacionit në QSUT: Transferuam 10 të sëmurë, trajtimi vijoi normalisht, pajisjet funksionojnë me back-up
Një defekt teknik në rrjetin e transmetimit la pa energji elektrike për rreth 90 minuta disa zona të kryeqytetit mbrëmjen e djeshme (19 janar), përfshirë edhe Reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Shefi i Shërbimit të Reanimacionit në QSUT, Krenar Lilaj, deklaroi për mediat se ndërprerja e energjisë nuk ka cenuar trajtimin e pacientëve, për shkak të sistemeve rezervë dhe masave të marra në kohë.
“Momenti më delikat është trajtimi itë sëmurëve të cilët kanë nevojë për asistencë respiratore, pacientët e intubuar dhe që ventilohen nga aparate të veçantë.
Në kushtet e ndërprerjes së dritave janë të gjithë me një pajisje back-up, që siguron funksionimin e tyre të plotë me energji të akumuluar, me akumulatorë që janë të inkorporuar në këto aparate. Trajtimi i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, madje jo vetëm I asistencës respiratore edhe trajtimi i vazhdueshëm i tyre pasi këta pacientë mjekimin e marrin nëpërmjet aparateve në mënyrë të vazhdueshme që janë me back-up”, u shpreh Lilaj.
Sipas tij, jo vetëm asistenca respiratore, por edhe mjekimi i vazhdueshëm i pacientëve vijoi normalisht, pasi aparaturat që administrojnë terapinë janë gjithashtu të pajisura me sisteme rezervë. Edhe monitorimi i pacientëve, sipas Lilajt, ka qenë korrekt gjatë gjithë kohës.
“Edhe monitorimi i këtyre të sëmurëve ishte korrekt. Ndërprerja e energjisë elektrike zgjati disa minuta ndërkohë që trajtimi i të sëmurëve po vazhdonte normalisht, Nga informacionet që morëm flitej për një defekt të rëndë dhe koha e rikthimit të energjisë elektrike ishte e pakonfirmuar. Në këto kushte për të shmangur mosfunksionimin e njëkohshëm të disa aparateve respiratorë, vendosëm kalimin e të sëmurëve në njësinë e terapisë intensive të spitalit ngjitur, ku zhvendosja u krye vetëm 20 metra më larg. Duke siguruar vazhdimin e trajtimit edhe në kushtet e reja të reanimacionit të ri” tha ai.
Në këto kushte, Lilaj sqaroi se stafi mjekësor vendosi të transferojë 10 pacientë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar. Ai shpjegoi se transporti I të sëmurëve u krye me respiratorë portative.
“Vendosëm të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, ku 9 ishin në respiracion të drejtuar, sigurisht ne i kemi mjetet që transporti I tyre të realizohet me respirator portativ pa e cenuar trajtimin e tyre, gjatë transportit. Të sëmurët u stabilizuan në njësinë e terapisë intensive të kardiologjisë dhe vazhduan trajtimin e tyre për afro 20-30 minuta. Trajtimi i të sëmurëve u krye në mënyrë të kontrolluar, vazhdoi në reanimacionin e kardiologjisë”, shpjegoi Lilaj.
Transporti i pacientëve, shtoi ai, nisi në orën 20:43 dhe përfundoi në orën 21:10, ndërsa pacientët vijuan trajtimin në reanimacionin e kardiologjisë për rreth 20–30 minuta. Pas rikthimit të energjisë elektrike rreth orës 21:45 dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm, pacientët u rikthyen në njësinë e tyre fillestare.
“Në 20:18 është ndërprerë energjia dhe në 20:43 ne kemi filluar transportin e të sëmurëve. Në orën 21:10 transporti i të sëmurëve ka përfunduar. Trajtimi është kryer korrekt dhe pas disa minutash është rikthyer energjia elektrike”, tha Lilaj.
Sa i përket ndarjes nga jeta të të dënuarit të sigurisë së lartë Mihal Mërkuri, i cili po trajtohej në njësinë e terapisë intensive të kirurgjisë, Lilaj sqaroi se gjendja e tij ishte tepër e rëndë dhe pa lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike.
“I sëmuri vuante nga ciroza hepatike dhe kishte pësuar një hemorragji masive, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht. Gjendja e tij ishte kritike që në momentin e mbërritjes dhe bëhej fjalë për një pacient me rrezik të lartë për jetën”, u shpreh ai.
Lilaj theksoi se, i dënuari ndërroi jetë në orën 04:13 të mëngjesit, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike në QSUT ishte rikthyer që rreth orës 21:45 të mbrëmjes së djeshme (19 janar).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



