Verifikimi i gjyqtares Irena Gjoka, PD letër SPAK: Hetoni pa vonesa. Rrezikohet interesi publik dhe sistemi i drejtësisë

Politikë | 9 muaj më parë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar përfundimin pa vonesa të hetimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, e dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Reagimi i opozitës vjen pasi Prokuroria e Përgjithshme u shpreh se është bërë verifikimi  i gjyqtares Irena Gjoka dhe ia ka përcjellë këtë gjë KLGJ. Burime për RTSH thanë se gjyqtarja Gjoka rezulton e dënuar në Greqi, fakt që e ka fshehur në formularët e vetëdeklarimit në 2016.

Sipas PD-së, ky konfirmim e vendos gjyqtaren në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit.

“Përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se deputetët e opozitës shprehin shqetësim të thellë nëse hetimi ndaj saj zvarritet, pasi kjo situatë rrezikon jo vetëm integritetin e sistemit të drejtësisë, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar, si dhe të minojë besimin e publikut te drejtësia.

“Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cenuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar. Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit. Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast. Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakton pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar”, thuhet në letrën e firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme