Rama: Farsë e shëmtuar seanca në Kushtetuese për kërkesën e gjyqtarëve për rritje rrogash. Skandal logjik, ligjor dhe kushtetues

Aktualitet | 9 muaj më parë

Sot Gjykata Kushtetuese po shqyrton një çështje të ngritur nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët kërkojnë rritje pagash përmes vendimit gjyqësor. Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në platformën X, duke e cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”.

Ai akuzoi gjyqtarët se po tentojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, ndonëse, sipas tij, ata janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që shumica qeverisëse u ka dhënë në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!”, shkruan Rama.

Kryeministri paralajmëron se, sipas tij, një vendim i tillë do të sillte pasoja të rënda, pasi do t’u jepte gjyqtarëve të drejtën të rrisin vetë pagat sa herë rriten pagat e tjera, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit.

“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrsesi të kthehet në një turp kombëtar”, thekson Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri shprehu mirënjohje për SPAK-un, i cili nuk iu bashkua kësaj nisme, duke e konsideruar këtë si një akt në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit.

“Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan kryeministri Edi Rama në X”, përfundon Rama reagimin e tij.

Gjykata Kushtetuese dëgjoi këtë të martë pretendimet e unionit të gjyqtarëve në kërkesën për rritjen e pagave. Për shtatë orë me radhë, gjyqtarët kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi vendimin e një viti më herët të Kushtetueses dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e rrogës së presidentit. Por sipas tyre kjo përllogaritje i ul përfitimet dhe është antikushtetuese, duke kërkuar një tjetër përllogaritje dhe si bazë të merret ekuivalente paga e Drejtorit të Departamentit në kryeministri, çka do t’u sillte atyre një rritje të përafërt me 700 euro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme