Trombozat, rreziku i heshtur për jetën. Hematologu shpjegon si t’i shmangim dhe t’i diagnostikojmë në kohë

Shëndet | 9 muaj më parë

Trombozat mbeten një nga shkaqet më serioze dhe shpesh të papritura të komplikacioneve shëndetësore, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve. Sipas hematologut Doktor Sotiraq Lako, tromboza përkufizohet si bllokim i qarkullimit të gjakut dhe ndahet në dy forma kryesore: trombozë arteriale dhe trombozë venoze.

Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, mjeku sqaron se tromboza arteriale shfaqet kryesisht në zemër, tru ose në gjymtyrë, dhe lidhet me depozitimin e yndyrave në muret e arterieve si dhe grumbullimin e trombociteve. Kjo formë shpesh çon në infarkt apo goditje në tru dhe parandalohet përmes mjekimeve specifike që pengojnë formimin e mpiksjeve.

Ndërkohë, shton ai, trombozat venoze janë më të shpeshta dhe prekin kryesisht venat e këmbëve, por mund të shfaqen edhe në duar, bark apo tru. Trajtimi i tyre ndryshon nga ai i trombozave arteriale dhe kërkon mjekime të posaçme antikoagulante.

“Tromboza është një bllokim i qarkullit të gjakut dhe ka trombozë të venave dhe trombozat të artereve. Tromboza arteriale ndodh kryesisht në zemër, tru ose në këmbë dhe karakterizohet nga depozitimit të yndyrave në muret e arterieve të gjakut dhe trombociteve. Në këtë rast përdorim mjekime për t’i parandaluar ato. Trombozat venoze janë më të zakonshme dhe ndodhin në venat e këmbët, duarve, barkut, trurit dhe për ta luftuar ka mjekime të tjera nga tromboza arteriale.  Ka tromboza qe nuk shfaqin shenja dhe janë të vështira për t’u identifikuara në kohë”, tha mjeku.

Mjeku Sotiraq Lako thekson se disa tromboza nuk shfaqin shenja të dukshme klinike, çka i bën të vështira për t’u identifikuar në kohë. Megjithatë, shenjat paralajmëruese mund të përfshijnë dhimbje stomaku, dhimbje shpine apo dhimbje në shpatulla, të cilat nuk duhen neglizhuar. Ndër faktorët kryesorë të rrezikut përfshihen gjithashtu ngushtimi i arterieve nga yndyrat, çrregullimet e lipideve, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe duhanpirja.

“Shkaqet janë nga më të ndryshmet që lidhen që me rruazat e gjakut që furnizojnë trurin, çrregullimet e zemrës, patologjitë e komunikimit mes dhomave të zemrës dhe faktorët gjenetik. Ngushtimi i artereve të gjakut ku yndyra depozitohen në muret e tyre, çrregullimi i yndyrave, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizikë, duheni etj.

Shenjat që japin trombozat janë dhimbje stomaku, dhimbje shpine, në shpatull, por trombozat janë të lehta për t’u diagnostikuar në bazë të ekzaminimeve të sotme”, tha ai.

Sipas mjekut, falë ekzaminimeve moderne, trombozat sot janë më të lehta për t’u diagnostikuar, për sa kohë pacientët paraqiten në kohë dhe nuk neglizhojnë simptomat. Parandalimi, stili i shëndetshëm i jetesës dhe kontrolli mjekësor mbeten armët kryesore për të shmangur këto “surpriza” shpesh vdekjeprurëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme