Dënimi i Irena Gjokës në Greqi, Berisha: U konfirmua pas 21 muajsh ajo që denoncuam në 2024

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ditën e sotme, komentoi verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka në Greqi për falsifikim vizash, duke theksuar se ky vendim penal është autentik dhe i fshehur nga gjyqtarja.
Berisha nënvizoi se u vërtetua ajo që ai kishte denoncuar që në mars të vitit 2024.
“Irena Gjoka vendim penal në Greqi, si falsifikatore si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar, me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg si falsifikatore, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë, po kështu është dëbuar dy herë nga shteti grek më 24.12.2002 dhe tre muaj më pas. Ishte në dijeni të plotë të këtyre dëbimeve dhe autorizoi avoketërit për kundërshtimin e tyre. Avoketërit i kundërshtuan masat edhe në Gjykatë Administrative. Vesi i falsifikimit del me shpirtin. Gjoka vazhdoi falsifikimet e saj si gjyqtare në Krimet e Rënda dhe më pas në GJKKO. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGJ siç kërkohej në ligjin e ‘96 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.”
I pyetur nga gazetarja e RTSH, Anisa Kadesha, nw lidhje me këtw çështje, Berisha u përgjigj se, “Mediat dje shpërndanë konfirmimin e vonuar të Prokurorisë së Përgjithshme, pas 21 muajsh, për atë që ne kemi thënë që në mars të vitit 2024. Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi si falsifikatore, si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg si falsifikatore, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë. Po kështu, ajo është dëbuar dy herë nga shteti grek. Përkatësisht me datë 24.12.2002 dhe dy muaj më pas, me 13.02.2003. Ajo ishte në dijeni të plotë të këtyre dëbimeve dhe autorizoi avoketër me prokurë për kundërshtimin e tyre në organet e drejtësisë greke. Avokatët e saj i kundërshtuan masat, ndër të tjera edhe në gjykatën administrative. Kjo gjykatë e rrëzoi ankimimin me vendimin 320 të vitit 2006, për shkak të parregullsisë së prokurës së lëshuar nga Irena me 5 mbiemra. Pra, edhe këto dëbime morën formë të prerë.”
Nga ana tjetër, ai akuzoi Gjokën se ka shkelur ligjet e miratuara me 3/5 e Kuvendit dhe Kushtetutën e Shqipërisë, duke mos deklaruar dënimin penal dhe dëbimet e saj:
“Irena Gjoka si gjykatëse e Gjykatës së Krimeve të Rënda, si gjykatëse në GJKKO, si kryetare e GJKKO-së dhe si subjekt i vetingut, ka pasur në të gjitha këto cilësi detyrimin të plotësojë formularë deklarimi sipas ligjit dhe të zbulojë ekzistencën e një gjykimi penal, një dënimi penal, dy dëbimeve dhe një gjykimi administrativ. Falsifikatorja nuk e ka bërë këtë në asnjë rast. Refuzimi për të deklaruar përbën shkak për shkarkimin e saj të menjëhershëm. Pra, sipas tre ligjeve të miratuara me 3/5, Irena Gjoka, ikona e reformës sorosiane të drejtësisë, nuk duhet të ishte magjistrate të paktën që me hyrjen në fuqi të ligjit për dekriminalizimin.”
Sakaq ai shtoi se Gjoka ka falsifikuar formularët e raportimit në disa raste, duke përfshirë procesin e vetingut dhe ligjin e dekriminalizimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



