Qeveria miraton 1067 vende vakante për vitin 2026, ja degët më të kërkuara

Aktualitet | 9 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar Planin Vjetor të Pranimit në Administratën Shtetërore për vitin 2026, duke i hapur rrugë punësimit dhe lëvizjeve në karrierë për mbi një mijë persona.

Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike, numri total i vendeve vakante të planifikuara për t’u plotësuar gjatë vitit 2026 është 1,067.

Ndarja sipas kategorive

Pjesa kryesore e vendeve të lira i takon nivelit ekzekutiv (specialistëve), çka përbën mundësinë kryesore për të rinjtë ose profesionistët që duan të hyjnë për herë të parë në administratë.

Kategoria Ekzekutive (Specialistë): 752 vende

Kategoria e Ulët Drejtuese (Përgjegjës Sektori): 205 vende

Kategoria e Mesme Drejtuese (Drejtorë Drejtorie): 99 vende

Niveli i Lartë Drejtues (TND – Sekretarë të Përgjithshëm/Drejtorë të Përgjithshëm): 11 vende

Profesionet më të kërkuara

Vendimi specifikon fushat e diplomimit që do të kenë prioritet për këto punësime. Përveç juristëve dhe ekonomistëve që mbeten baza e administratës, vihet re një kërkesë e gjerë për inxhinierë, mjekë dhe ekspertë të IT-së.

Fushat kryesore përfshijnë shkenca juridike dhe ekonomike (përfshirë auditin); inxhinieri, arkitekturë dhe shkenca ekzakte (IT, matematikë, fizikë); shkenca mjekësore, veterinari, agronomi; shkenca sociale, mësuesi, histori-filologji dhe arte të bukura.

Si do të bëhen punësimet?

Qytetarët e interesuar duhet të kenë parasysh se jo të gjitha vendet dalin menjëherë në konkurs të hapur. Ligji për Nëpunësin Civil parashikon një filtër paraprak. Fillimisht, për të gjitha kategoritë, vendet u ofrohen nëpunësve aktualë që duan të ndërrojnë institucion (transferim).

Vendet që mbeten bosh në kategorinë ekzekutive (752 vende) dalin në konkurs të hapur për publikun (pranim në shërbim civil). Vendet në kategoritë drejtuese (ulët/mesme) plotësohen kryesisht përmes ngritjes në detyrë (promovimit) të punonjësve ekzistues.

Departamenti i Administratës Publike (DAP) është ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi, ndërsa fondet për pagat e punonjësve të rinj janë garantuar në Buxhetin e vitit 2026.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme