Berisha për investimet e Kushner në Shqipëri: I mbështesim. Sazanin e kam ofruar edhe unë tek Berlusconi

Politikë | 9 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, ka komentuar investimet amerikane në jug të vendit nga kompania e Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, Sali Berisha kujtoi se edhe gjatë kohës kur ishte kryeministër, e kishte ofruar këtë ishull ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, i cili e kishte pranuar propozimin dhe kishte përgatitur një projekt, por kriza financiare e kohës e pengoi realizimin e tij.

“Për sa i përket Sazanit, ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti. Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat. Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë.”

I pyetur për rolin e opozitës në raport me këtë marrëveshje, Berisha  theksoi se,  “A doni të jemi të sinqertë? Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Unë nuk mund të mos jem ai që jam. E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar. E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni. E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet. Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar. Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim.”

Duke folur për marrëveshjen e Ramës me Kushner, Berisha shtoi se,  “Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E ka ofruar Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga i ndjeri Silvio Berluskoni. Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Jared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh. Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën. Ajo nuk ndodhi.”

Më tej, Berisha shtoi se, marrëveshja me Kushner nuk i sjell asnjë përfitim politik kryeministrit Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme