Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët profesionistë, standardet evropiane garantojnë mbrojtjen e publikut

Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, veçanërisht për veprën penale të shpifjes, kanë qenë në fokus të mbledhjes së Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme.
Gjatë diskutimeve, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për ata që, sipas tij, e ushtrojnë shpifjen si profesion.
“Unë, sa të jem personalisht, flas këtu jo si kryetar i grupit, unë nen të fyerjes nga Kodi Penal nuk heq.
Për mua fyerja është një vepër penale. Për fat të mirë edhe pse unë do doja të ishte më e ashpër në Republikën e Shqipërisë, fyerja nuk dënohet me burg, por me gjobë.
Dhe e vërteta është që kam qenë një prej njerëzve mbështetës që në 2008, zonja Tabaku, kur i kam votuar me bindje të plotë shpërndarja e materialeve raciste, ksenofobe në sistemet kompjuterike, sa kishte filluar ky muhabet i internetit dhe rrjeteve sociale në atë kohë, nëse ju më ftoni që t’i fshij ato, nuk e bëj dot.
Fyerja me motive raciste, ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik”, deklaroi Balla.
Balla theksoi se puna e bërë është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisioni Evropian dhe se ndryshimet synojnë të dallojnë qartë gazetarin profesionist nga vetëshpallja si i tillë. Sipas tij, shpifja do të dekriminalizohet për median e regjistruar dhe për gazetarët që ushtrojnë profesionin në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai sqaroi se, sipas draftit të ri, një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur ligjërisht, nuk do të mbajë përgjegjësi penale për shpifje, nëse vepron në mirëbesim, ka si qëllim informimin e publikut për çështje me interes të përgjithshëm dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për verifikimin e informacionit.
“Sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, të çdo informacioni tjetër përmes shtypit, mediave audiovizive,medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, kur: 1, qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm; 2, në momentin e publikimit ai nuk ka dhe, në rrethana konkrete, në mënyrë të arsyeshme nuk kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre; dhe, pasi të jetë informuar nga personi i tretë, pra personi i prekur, ose autoritetet kompetente, se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, ose për t’i hequr ato, për ta çaktivizuar aksesin në to.
Për qëllimet e këtij neni, përhapja me mirëbesim do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë dhe kryhet bëhet në përputhje me rregullat etike profesionale të gazetarisë mbi baza faktike të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet kritike dhe interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme”, u shpreh Balla.
Balla theksoi gjithashtu se vlerësimet, opinionet dhe komentet kritike, edhe kur janë të ashpra apo fyese, nuk do të konsiderohen shpifje, përveç rasteve kur përmbajnë pretendime apo fakte objektivisht të rreme.
Nga ana tjetër, ai nënvizoi se shpifja do të mbetet vepër penale për individët që vetëshpallen gazetarë dhe që përhapin qëllimisht lajme të rreme, duke theksuar nevojën për rregullimin ligjor të profesionit të gazetarit.
“Sa i përket figurës së veprës penale, duhet të garantoj sot çdo gazetar që funksionon si i tillë në Republikën e Shqipërisë, që në këtë koncept nuk ka më vepër penale për shpifje për gazetarin, kur gazetari është realisht gazetar, jo kur gazetari e vetëshpall veten gazetar, me një bexh këtu e thotë “unë jam gazetar””, shtoi ai.
Në përfundim, Balla theksoi se shumë vende të Bashkimit Evropian vijojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale dhe se ndryshimet e propozuara përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet evropiane, duke synuar mbrojtjen e qytetarëve nga lajmet e rreme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



