PD reagon ndaj policisë: S’ka asnjë efektiv të plagosur, protestuesit janë lënduar dhe arrestuar

Partia Demokratike i ka konsideruar si të pabazë njoftimin e policisë se janë plagosur punonjës policie në protestën e sotme të kësaj force politike.
Sipas reagimit të Partisë Demokratike, theksohet se referuar informacioneve të grumbulluara nga kjo forcë politike, “në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë”.
“Partia Demokratike i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të narkopolicisë se janë plagosur 12 efektivë policie. Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
“Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit”, theksohet në reagimin e Partisë Demokratike.
Në reagimin e saj Partia Demokratike shpjegon më tej se nuk ka policë të plagosur por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar.
“Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë.
Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota.
Partia Demokratike falënderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje.
Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë.
Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj”, përfundon në reagimin e saj, Partia Demokratike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



