E rëndë në Durrës, babai plagos me thikë vajzën dhe një kalimtar që ndërhyri për ta mbrojtur
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës, ku kanë mbetur të plagosur dy persona.
Sipas policisë, babai i identifikuar si M. Ndoji, 56-vjeç, ka plagosur vajzën e tij me thikë si dhe një kalimtar që ka ndërhyrë për ta mbrojtur vajzën.
Ngjarja ka ndodhur në një dyqan peshku ndërsa të plagosurit janë transportuar me makina të rastit me urgjencë në spital. Gjendja e tyre nuk dihet ende, por mësohet se kanë marrë disa plagë nga goditjet me thikë.
Sipas dyshimeve paraprake, konflikti ka lindur për shkak të mospranimit të autorit në familje. Mësohet se 56-vjeçari kishte kryer burg në Itali dhe ishte kthyer së fundmi në Shqipëri, ku kishte kërkuar të ribashkohej me familjen, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga vajza e tij. Kjo dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës dhe pas debateve në vendin ku ajo punonte, e ka plagosur me thikë në rrugë.
Durrës/ Informacion paraprak
Më datë 26.01.2026, rreth orës 10:03, shtetasi M. N., 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur në rrugë me mjet prerës (thikë) vajzën e tij, shtetasen Xh. N., 24 vjeçe, banuese në lagjen nr. 12, Durrës.
I plagosur ka mbetur edhe shtetasi O. M., kalimtar i rastit, i cili ka ndërhyrë në momentin që babai ka plagosur vajzën me mjet prerës (thikë).
Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 56-vjeçarit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




