Formalizimi i sektorit të ndërtimit, Malaj: Rreth 118 mijë të punësuar, pagat e deklaruara u rritën pas fushatës së ndërgjegjësimit

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj ka bërë me dije rezultatet e deritanishme të arritura në kuadër të formalizimit të sektorit të ndërtimit, për deklarimin real të pagave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në një konferencë për shtyp, sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, Malaj tha se aktualisht janë evidentuar 8784 subjekte aktive, kryesisht në Tiranë dhe Durrës dhe se rreth 25% e tyre paguajnë punonjësit me 400–500 euro, një nivel që nuk reflekton realitetin e tregut.

Pas fushatës së ndërgjegjësimit të ndërmarrë në nëntor të vitit të kaluar, ministri bëri me dije se u regjistrua një rritje prej 9% e fondit të pagave për rreth 118 mijë të punësuar në ndërtim. Po ashtu, numri i punonjësve që paguhen në fashën 400–500 euro u ul me 7%, ndërsa u shënua një rritje domethënëse prej 18% e punonjësve që marrin paga midis 700 dhe 1000 euro. Gjithashtu, pagat mbi 120 mijë lekë u rritën me mbi 10%.

Megjithatë, ai theksoi se jo të gjithë bizneset kanë reflektuar, duke i bërë thirrje të fundit që të marrin masat  e duhura.

“Në sektorin e ndërtimit kemi evidentuar 8784 subjekte aktive, pjesa më e madhe ushtron aktivitetin në Tiranë dhe Durrës. Rreth 25% e tyre i paguajnë punonjësve paga që variojnë nga 400 deri në 500 euro. Për fat të keq, 25% është një shifër tepër e lartë në një kohë kur e dimë që tregu ofron krejtësisht paga të tjera që janë më të larta. Nisur nga këto të dhëna të grumbulluara, administrata tatimore, në muajin nëntor 2025 ndërmori një nismë të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore. Një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar.

Rreth 118 mijë të punësuar në ndërtim, në dhjetor 2025 kemi patur një rritej të fondit të pagave me 9%. Kemi patur reflektim pozitiv edhe sa i përket uljes së numrit të punonjësve të cilët paguhen midis fashës 400 dhe 500 euro. Ulja e këtij numri ka qenë modeste, 7% që është jo e mjaftueshme. Pagat e deklaruara në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit. Pas mesazheve ndërgjegjësuese, kemi një rritej të numrit të punonjësve që paguhen midis fashave 700 dhe 1 mijë euro dhe kjo rritje ka qenë domethënëse, 18% dhe kemi edhe një rritje të pagave të punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë  dhe kjo rritej ka qenë domethënëse me mbi 10%. Megjithatë, disa biznese i kanë reflektuar, por kemi edhe biznese që ende nuk kanë reflektuar. Këto subjekte do të jenë objekt kontrolli nga administrata tatimore. I bëj një thirrje të fundit që të bëjnë reflektimet e duhura”, tha Malaj.

I pyetur për rivlerësimin e pronave, Malaj bëri me dije pritet të hyjë në fuqi në gjysmën e parë të muajit shkurt.

“Ligji i rivlerësimit u miratua me paketën fiskale, ka hyrë në fuqi më 22 janar dhe udhëzimet përkatëse që shoqërojnë këtë ligj, pritet që të miratohen shumë shpejt. Besoj se në gjysmën e parë të muajit shkurt do të kemi udhëzimet  përkatëse në mënyrë që të vijohet me procesin e rivlerësimit”, deklaroi ai.

Drejtori i Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, tha se aksioni do të vijojë dhe do të shtrihet në tre  faza.

“Aksioni do të vijojë. Faza e parë sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave të çmimeve të shitjes së agjencive imobiliare, pro edhe formalizmin e tyre. Faza e dytë do fokusohet  të nënkontratorët që nuk kanë reflektuar në lidhej me pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime me çmimet reale të shitjes. Do të investigohet burimi i financimit dhe transaksionet e dyshimta do të raportohen te drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave. Faza e tretë do të  fokusohet te ndërtuesit. Do të identifikohen ata ndërtues që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para dhe do kontrollohen duke përdorur informacionet e marra duke bërë një analizë të thelluar të financimit, qoftë për vetë qoftë për blerësit e tyre”, theksoi ai.

Ky aksion është planifikuar të përfundojë më 23 maj të këtij viti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme