Ministri Malaj: Lufta kundër informalitetit mbetet një prioritet kyç i qeverisë, me synim garantimin e konkurrencës së ndershme

Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, prezantuan sot bilancin e Planit Sektorial për Formalizimin e Ndërtimit.
Sipas tyre, të dhënat tregojnë se pas një fushate ndërgjegjësuese të nisur në nëntor 2025, mijëra punonjës kanë kaluar nga fashat e ulëta të pagave drejt niveleve më reale të tregut, ndërsa fondi i pagave në këtë sektor është rritur me miliona euro vetëm në harkun e pak muajve.
Sipas Ministrit Malaj, analiza e riskut kishte zbuluar një anomali të theksuar: nga 8,784 subjekte ndërtimi aktive (kryesisht në Tiranë dhe Durrës), rreth 25% e tyre deklaronin paga minimale midis 400-500 euro.
“Kjo është një shifër tepër e lartë, në një kohë kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu ofron krejtësisht paga të tjera,” u shpreh Malaj.
Përballë kësaj situate, në nëntor 2025, Tatimet dërguan 13,418 mesazhe të personalizuara drejt subjekteve të ndërtimit dhe zinxhirit furnizues. Qasja, sipas zyrtarëve, nuk ishte fillimisht ndëshkuese, por ndërgjegjësuese. Rezultati ishte i menjëhershëm në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin e po atij viti:
Fondi i pagave u rrit me 9%, duke arritur në rreth 78 milionë euro.
Të ardhurat nga sigurimet u rritën me 4%.
Struktura e pagave u ul me 7% numri i atyre që deklaroheshin me 400-500 euro, ndërsa u rrit ndjeshëm deklarimi në fashat e larta.
Pavarësisht reagimit pozitiv të një pjese të biznesit, Ministri Malaj ishte i prerë për ata që kanë injoruar thirrjen e shtetit.
“Subjektet që nuk kanë reflektuar tashmë janë identifikuar dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara,” paralajmëroi ai, duke shtuar se qëllimi nuk është gjobitja, por garantimi i konkurrencës së ndershme dhe pensioneve dinjitoze për punonjësit.
Binaj: Aksioni mbyllet në maj, radhën e ka Turizmi
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri me dije se ky plan operacional për ndërtimin do të vijojë deri më 23 maj 2026. Pas kësaj date, fokusi do të zhvendoset sërish, por pa lënë mënjanë ndërtimin.
“Përveç ndërtimit, në fokus të përpjekjes së vazhdueshme për formalizimin e tregut do të vazhdojë të mbetet turizmi dhe siguria ushqimore,” theksoi Binaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




