Kosovë, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit ishte antikushtetuese

Kosovë | 9 muaj më parë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, e zhvilluar më 10 tetor 2025, nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Sipas aktgjykimit, Kuvendi ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, gjatë zgjedhjes së deputetit Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit.

Megjithatë, Gjykata vendosi që aktgjykimi të mos ketë efekt prapaveprues, lidhur me parimin e sigurisë juridike dhe stabilitetin institucional, citon RTK.

Në arsyetimin e saj, Gjykata sqaroi se seanca e 10 tetorit 2025 ishte vazhdim i seancës konstitutive të Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025. Gjatë kësaj seance, kryetari i Kuvendit u bëri thirrje deputetëve të komunitetit serb që të propozonin kandidatin për nënkryetar. Fillimisht u propozua deputeti Slavko Simiq, por ai nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në tri raunde votimi.

Procedura e propozimit dhe votimit vazhdoi edhe për tetë kandidatë të tjerë, të gjithë të propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, por asnjëri prej tyre nuk u zgjodh.

Pas dështimit të nëntë propozimeve, kryetari i Kuvendit kërkoi që të propozohej deputeti i vetëm i mbetur pa kandiduar deri në atë moment, Nenad Rashiq. Ky propozim u refuzua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.

Pavarësisht kësaj, kryetari i Kuvendit aplikoi procedurën e shortit, duke e hedhur emrin e Rashiqit në votim. Ai u zgjodh nënkryetar me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, çka çoi në përmbylljen e seancës konstitutive.

“Çështja thelbësore në këtë rast lidhet me të drejtën ekskluzive të propozimit, e cila sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikës gjyqësore, i takon shumicës së deputetëve të komunitetit përkatës dhe përbën garanci themelore për përfaqësim efektiv në Kryesinë e Kuvendit. Mekanizmat debllokues, si votimi i përsëritur dhe procedura e shortit , mund të përdoren vetëm në rrethana përjashtimore dhe nuk mund të shërbejnë për të anashkaluar të drejtën kushtetuese të propozimit.  Gjykata konstatoi se shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk kishte refuzuar të ushtrojë të drejtën e saj, pasi kishte propozuar nëntë kandidatë të ndryshëm”, thuhet nw vendimin e gjykatës.

Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se zgjedhja e Nenad Rashiqit nuk ishte rezultat i një propozimi nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, ndërsa përdorimi i mekanizmave debllokues ishte bërë në kundërshtim me qëllimin dhe frymën e Kushtetutës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme