QKB publikon shifrat, 20,765 më shumë regjistrime krahasur me një vit më parë, 6,596 prej tyre të drejtuar nga gra

Aktualitet | 9 muaj më parë

Qendra Kombëtare e Biznesit publikoi treguesit për vitin 2025, duke evidentuar një vit me rritje të dukshme të aktivitetit dhe përdorimit të shërbimeve digjitale.

Gjatë vitit 2025, QKB ka administruar gjithsej 177,307 aplikime, nga të cilat 154,436 në Regjistrin Tregtar, 13,025 në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve dhe 9,846 në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Krahasuar me vitet e mëparshme, vihet re nje rritje e aplikimeve në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe në fushën e licencave.

Regjistrimet e bizneseve të reja arritën 20,765, nga 17,500 në 2024, me Tiranen në krye të listës me 11,175 subjekte të reja. Sektoret më të popullarizuara mbeten tregtia me shumicë dhe pakicë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, ndërtimi dhe aktivitetet profesionale, shkencore e teknike.

Në fushën e licencave dhe lejeve, u lëshuan 2,000 licenca të reja për shërbime mjekësore, prodhim, turizëm dhe tregti, si dhe 249 leje mjedisore, peshkimi dhe minerare.

Një element i veçantë mbetet pjesëmarrja e grave në sipërmarrje, me 6,596 biznese të drejtuara nga femra, një rritje e dukshme që tregon diversifikimin e klimës së biznesit.

Treguesit e vitit 2025 konfirmojnë rolin e QKB-së si një institucion kyç për digjitalizimin e shërbimeve, përmirësimin e transparencës dhe lehtësimin e qasjes së qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën publike treguesit statistikorë të aktivitetit për vitin 2025, të cilët reflektojnë një vit me volum të lartë shërbimesh, rritje të regjistrimeve të bizneseve të reja dhe përdorim të gjerë të shërbimeve digjitale.

Gjatë vitit 2025, QKB ka administruar gjithsej 177,307 aplikime, nga të cilat 154,436 në Regjistrin Tregtar, 13,025 në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve dhe 9,846 në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Krahasuar me vitet e mëparshme, volumi total i aplikimeve mbetet në nivele të qëndrueshme, ndërsa vihet re rritje e aplikimeve në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe në fushën e licencave.

Shërbimet më të përdorura nga bizneset gjatë vitit 2025 lidhen kryesisht me Regjistrin Tregtar, ku kryesojnë dorëzimi i bilancit vjetor, ndryshimet për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe për personat fizikë, regjistrimi i personit fizik dhe pezullimi i aktivitetit. Në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve, kërkesat më të shpeshta kanë qenë aplikimet e reja, ndryshimet, revokimet vullnetare dhe shtyrjet e afatit, ndërsa në Regjistrin e Pronarëve Përfitues dominojnë aplikimet për regjistrim fillestar dhe për ndryshim të të dhënave.

Regjistrimet e bizneseve të reja shënuan një rritje të ndjeshme në vitin 2025, me 20,765 subjekte të reja, nga 17,500 në vitin 2024 dhe 16,853 në vitin 2023. Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana vijon të mbajë peshën kryesore me 11,175 biznese të reja, e ndjekur nga Durrësi (2,185), Vlora (1,913), Fieri (1,173), Elbasani (873) dhe Shkodra (849), ndërsa regjistrime të konsiderueshme janë shënuar edhe në Lezhë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës.

Sa i përket aktiviteteve ekonomike, numri më i lartë i regjistrimeve i përket tregtisë me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motorçikletave (5,341), ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor (2,878), ndërtimi (1,663), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (1,645), informacioni dhe komunikacioni (1,547), shërbimet administrative dhe mbështetëse (1,515) dhe transporti e magazinimi (1,433).

Në fushën e lejeve dhe licencave, gjatë vitit 2025 janë lëshuar 2,000 licenca të reja, kryesisht për shërbime mjekësore dhe stomatologjike, prodhim dhe tregti ushqimore, farmaci, aktivitete të lidhura me automjetet, operatorë turistikë dhe shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore. Po ashtu janë dhënë 249 leje të reja, ku spikasin lejet mjedisore të tipit B, lejet për peshkim dhe shfrytëzim të faunës ujore dhe lejet minerare. Krahasuar me vitet e mëparshme, edhe ky tregues shënon rritje të qëndrueshme.

Një element i rëndësishëm i vitit 2025 është edhe përfshirja e grave në sipërmarrje, ku 6,596 subjekte rezultojnë të drejtuara nga femra.

Treguesit e vitit 2025 konfirmojnë rolin e QKB-së si një institucion kyç në lehtësimin e klimës së biznesit, në digjitalizimin e shërbimeve dhe në mbështetjen e sipërmarrjes, duke ofruar transparencë, efikasitet dhe akses të thjeshtuar për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme