Milano Cortina 2026 në RTSH/ Sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në Olimpiadë marrin flamurin nga Presidenti i Republikës

Është mbajtur ditën e sotme në Presidencë, Ceremonia e Dorëzimit të Flamurit për sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026, event që do të transmetohet drejpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Katër sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Dimërore Olimpike, Milano Cortina 2026 janë: Lara Colturi, Samire Dauti, Lisa Brunga dhe Denni Xhepa, të gjithë në garat e skive alpine.
Në mungesë të Lara Colturit, e cila është e sëmurë, flamuri kombëtar i është dorëzuar skiatorit Denni Xhepa nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Në këtë ceremoni folën presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli: Shqipëria është me ju
“Për herë të parë në histori, Shqipëria shkon me një ekip të kualifikuar në Lojërat Olimpike Dimërore. Katër sportistët që do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Lojrat Dimërore Olimpike janë: Lara Colturi, Samire Dauti, Lisa Brunga dhe Denis Xhepa, të gjithë në garat e skive alpine. Shqipëria është me ju, flamuri është në duart tuaja, nderojeni atë”, ka thënë mes të tjerash presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja: : Kemi bërë jo sa duhet për sportin, Ligji i Sponsorizimeve është drejt miratimit
“Duhet pranuar se deri më sot ndihma e dhënë nga shteti nuk ka qenë shumë e madhe, por kemi një lajm të mirë. Ligji i Sponsorizimeve është drejt miratimit dhe kjo do të hapë një dritare të re për të krijuar ato energji, që deri më tani kanë qenë të munguara. Do të kemi edhe një fond special në shërbim të artit, kulturës dhe sportit. Lamë pas ditë dhe vite të vështira dhe jemi shumë pranë ditëve të mira. Kemi bërë jo sa duhet për sportin, sepse kemi bërë shumë për Shqipërinë”, ka thënë mes të tjerash Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi: Për herë të parë në histori Shqipëria ëndërron një medalje olimpike
“Për herë të parë, falë Lara Colturit, Shqipëria ëndërron një medalje olimpike në Lojërat Dimërore. Kjo tregon se edhe një vend i vogël mund të ketë ambicie të mëdha. Ne jemi një vend malor dhe duhet që të kemi pista skish në të ardhmen. Falënderoj qeverinë shqiptare dhe presidentin e Republikës për këtë projekt, fitues”, ka thënë mes të tjerash Elvis Toçi.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj: Shqipëria garon si e barabartë mes të barabartëve
“Ajo që kemi arritur është një transformim i madh dhe rrënjësor. Dorëzimi i flamurit nuk është thjesht një akt ceremonial. Në Lojërat Olimpike ju do të përfaqësoni Shqipërinë. Fakti që sot renditemi me dinjitet mes vendeve që kanë traditë në sportet dimërore na bën krenar. Fakti që ju jeni kualifikuar me normë dhe meritë është suksesi i parë i madh. Ky progres është rezultat i një strategjie të mirë menduar. Ju besuat te stërvitja dhe profesionalizmi.
Sporti shqiptar sot përfaqësohet me dinjitet nga një ekip në Olimpiadë. Kur të jeni në startin e garës, mbani mend se pas jush është një komb i tërë. Që sheh flamurin e tij të garojë si i barabartë mes të barabartëve. Pjesëmarrja juaj në Olimpiadë, pavarësisht nëse fitoni ose jo, ju bën fitimtar. Flamuri është në duart tuaja, u uroj suksese dhe na bëni shumë krenarë”, ka thënë mes të tjerash Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Milano Cortina 2026 është event që do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




