Debate për ujësjellësin në Lezhë, bashkia tërhiqet nga bordi, Ndreu kritikon shtrenjtimin e ujit
Bashkia Lezhë ka hequr dorë nga përfaqësimi në bordin e Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve, ndonëse zotëron 30 për qind të aksioneve. Vendimi vjen si reagim ndaj mënyrës së administrimit të ndërmarrjes dhe rritjes së çmimit të ujit gjatë viteve të fundit, e cila është miratuar pavarësisht kundërshtimeve të Këshillit Bashkiak. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku ndërmarrja e ujësjellësit ishte thirrur për të raportuar, kryebashkiaku Pjerin Ndreu kritikoi menaxhimin e të ardhurave dhe mënyrën e funksionimit të shoqërisë.
Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë, deklaroi se “Ajo që më ka shqetësuar është tendenca e herë pas hershme për të rritur çmimin dhe pasi kemi kundërshtuar ne është rritur çmimi. Në Shëngjin, nëse mbytet me ujë, e keni ju për detyrë për të shkuar, por nuk merrni asnjë masë, nuk çoni asnjë mjet apo nuk çoni asnjë punëtor. Shkojmë ne si bashki dhe bëjmë punët me shërbimet, ndërsa ju nuk ekzistoni fare atje.”
Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë, Zef Maçi, mbrojti punën e institucionit, duke deklaruar se falë performancës pozitive janë siguruar investime të rëndësishme nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale.
Zef Maçi, Drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë, deklaroi “Asnjëherë prej 9 vitesh nuk është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në Lezhë. I përballojmë të gjitha defektet dhe i shlyejmë të gjitha kreditë muaj për muaj. Kjo ka bërë që qeveria ta konsiderojë Lezhën duke sjellë 16 milionë euro investim për eliminimin e përmbytjeve në qytetin e Lezhës.”
Me reformën e vitit 2024, Ujësjellës-Kanalizime Lezhë është shndërruar në shoqëri rajonale, duke përfshirë edhe Kurbinin dhe Mirditën, njësi që kanë trashëguar humbje dhe borxhe të konsiderueshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



