Atentat me armë zjarri në Lezhë, 30-vjeçari qëllohet me breshëri brenda berberhanes në Rrilë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në qarkun e Lezhës. Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në fshatin Rrilë , duke shkaktuar plagosjen e një personi.

Gazetari i RTSH 24 raporton se objektiv i sulmit ka qenë shtetasi me inicialet S. D., rreth 30 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të fshatit Rrilë. 30-vjeçari ndodhej brenda një berberhaneje në momentin kur ndaj tij është hapur zjarr. Dyshohet se autori ka qëlluar me breshëri plumbash drejt tij.

Për pasojë, S. D. ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës. Fatmirësisht, mjekët konfirmojnë se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm.

Autori i ngjarjes, i cili ende nuk është identifikuar, ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendngjarja menjëherë pas të shtënave, duke përfituar edhe nga errësira.

“Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton policia.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e fshatit Rrilë dhe akset lidhëse me Lezhën. Grupi hetimor ndodhet në ambientet e berberhanes duke mbledhur gëzhojat dhe provat materiale, si dhe po sekuestron kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e atentatorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme