Përshtati dy banesa për kultivim kanabisi me llamba, arrestohet 46-vjeçari në Vaun e Dejës
Një 46-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kishte përshtatur dy banesa për kultivim të bimëve narkotike kanabis, duke përdorur llamba dhe pajisje të posaçme elektrike.
Rasti u zbulua në fshatin Barbullush, në Vaun e Dejës, ku gjatë kontrollit u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kilogramë kanabis i përpunuar, si dhe 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në pranga u vu shtetasi Gj. G., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




