Durrës- Vidhte targa automjetesh për t’ua shitur personave me precedent penal, arrestohet 36-vjeçari nga Kosova

Policia e Durrësit ka arrestuar një 36-vjeçar nga Kosova, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve të targave të automjeteve shqiptare dhe kosovare, të cilat dyshohet se ua shiste personave me precedent penal për kryerjen e krimeve kundër personit dhe pronës.
Gjatë operacionit të koduar “Targat”, në pranga u vu shtetasi E. Q., 36 vjeç, nga Kosova, i cili u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, zona Plazh, Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “Ford”, i pajisur me targa të vjedhura në lagjen nr. 5 të qytetit, në pronësi të shtetasit R. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën në bagazh dy targa të një automjeti nga Kosova, ndërsa në sediljen e shoferit u sekuestruan mjete të ndryshme si kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç i ngjashëm me maskat, të cilat dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas dyshohet si autor edhe i vjedhjes së targave të dy automjeteve të tjera, të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Durrësit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



