Ndryshojnë rregullat e udhëtimit në Schengen, ministrja Koçiu takim me zyrtarët e BE: Sistemi i ri “EES” do të shkurtojë pritjet në pikat kufitare

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka marrë pjesë në një takim koordinues me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe homologë nga Ballkani Perëndimor. Në qendër të diskutimeve ishte zbatimi i sistemit të ri të Hyrje-Daljeve (EES) në hapësirën Schengen, një ndryshim teknologjik që pritet të transformojë mënyrën se si qytetarët kalojnë kufirin drejt BE-së.
Sistemi EES synon të zëvendësojë vulosjen fizike të pasaportave me një proces plotësisht të digjitalizuar, duke regjistruar të dhënat biometrike të udhëtarëve.
Në reagimin e saj pas takimit, ministrja Koçiu theksoi se ky sistem ka si qëllim kryesor lehtësimin e lëvizjes për qytetarët.
“Sistemi synon të përshpejtojë lëvizjen në kufi, të reduktojë radhët dhe të rrisë sigurinë përmes digjitalizimit të të dhënave,” u shpreh ajo.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me partnerët evropianë për të siguruar që standardet e reja t’i shërbejnë qytetarëve shqiptarë për një lëvizje sa më të sigurt dhe pa pengesa drejt Evropës.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



