“Në Kohë Reale” – Epidemologu Simaku: Situata e gripit në vend është normale për sezonin

Shëndet | 8 muaj më parë

I ftuar në studion e emisionit “Në Kohë Reale” në RTSH 1, epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Artan Simaku, bëri të ditur se situata e gripit në vend është brenda parametrave normalë për këtë periudhë të vitit dhe nuk paraqet arsye për shqetësim.

Sipas tij, kulmi i qarkullimit të gripit zakonisht arrihet në fund të muajit janar dhe në fillim të shkurtit, por aktualisht vendi ndodhet larg pragut epidemiologjik.

“Është fiks periudha dhe e theksojmë që në fillim që është një periudhë e zakonshme dhe e pritshme për stinën. Gripi është sëmundja më e zakonshme dhe çdo vit përsëritet e njëjta situatë epidemologjike dhe nga eksperienca shumë vjeçare e vendit tonë, kulmi i qarkullimit të gripit arrihet në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt por e theksojmë se jemi larg pragut epidemiologjik kështu nuk ka vend për shqetësime. Në media flitet shumë se është një sezon i ashpër por nuk ka ndonjë diferencë nga sezonet e shkuara madje kemi pasur sezone edhe më të ashpra”, u shpreh mjeku.

Ai sqaroi se në vend po qarkullon virusi i gripit të tipit A, me dy nëntipat AH1 dhe AH3, njësoj si në të gjithë kontinentin evropian.

Ndërkohë, sipas të dhënave të ISHP-së, ka nisur edhe sinjali i rënies së kurbës së rasteve, duke parashikuar një ulje të mëtejshme në ditët dhe javët në vijim.

Përveç gripit, në vend vijon të qarkullojë edhe Covid-19, si dhe virusi respirator sincicial, i cili prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët e moshës 0–2 vjeç.

“Në vend qarkullon virus i tipit A me dy nëntipat e tij AH1 dhe AH3 ashtu si në gjithë kontinentin evropian dhe ka filluar sinjali në rënie të kurbës dhe në ditët dhe javët në vijim parashikohet rënie e numrit të rasteve. Mbizotëron qarkullimi i gripit por bashkë me të qarkullon covid, virusi respirator sinsicial që prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët kryesisht në moshën 0-2 vjeç dhe ka një klinik më të shprehur dhe më të ashpër”, tha ai.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme