Banorët e Baks-Rrjollit protestë para SPAK kundër resortit turistik. Avokati: Nëse s’merren masa për 3 ditë, protestat do të përshkallëzohen
Banorët e fshatit Baks-Rrjoll vijojnë protestat kundër resortit turistik që parashikohet të realizohet në zonën bregdetare mes Ranës së Hedhun dhe Baks-Rrjollit.
Ditën e sotme, më 5 shkurt, banorët janë paraqitur para SPAK-ut për të protestuar dhe për të kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre. Sipas tyre, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime të qarta lidhur me statusin e tokave dhe procedurat e miratimit të projektit.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Projekti turistik në këtë zonë parashikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe vilave turistike.
Pas paraqitjes në SPAK, avokati përfaqësues i banorëve të Baks-Rrjollit deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk ka marrë ende përgjegjësinë për çështjen e kallëzuar prej tyre.
Sipas avokatit, SPAK ka pretenduar se çështja nuk është në kompetencën e tij, ndërsa theksoi se banorët kanë dhënë një afat prej tre ditësh për të parë nëse do të merren masa konkrete.
“Nëse brenda tre ditësh nuk do të ketë sekuestrim të dosjes dhe pezullim të punimeve, do të jemi sërish këtu, por jo në mënyrë paqësore. Kur cenohet prona dhe jeta e njerëzve, reagimi do të jetë ndryshe,” u shpreh avokati.
Ai shtoi se SPAK mban përgjegjësi për këtë çështje dhe se duke mos e marrë në kompetencë, ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Shkodrës. Sipas tij, hetimi duhet të kryhet nga SPAK, pasi bëhet fjalë për prona të regjistruara në emër të personave të tjerë dhe për dyshime serioze mbi mënyrën e përvetësimit të tokave.
“SPAK e ka përgjegjësinë dhe ia heq vetës dhe ia çon Shkodrës. Duhet patjetër SPAK pasi këto toka që janë marrë në emër të tjetër kujt dhe SPAK është i detyruar të nis hetime për këtë punë dhe jo Prokuroria Shkodër”, tha avokati.
Në shenjë proteste, banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin në ditët e mëparshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



