ILD kërkoi ulje page për gjyqtarin për zvarritje në zbardhjen e vendimeve, KLGJ i jep “vërejtje publike”

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj magjistratit Sh. L., për zvarritje të përsëritur në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. KLGJ ka vendosur të japë “vërejtje publike” ndaj gjyqtarit, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar një masë më të rëndë, ulje të përkohshme të pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit.
Hetimi disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë nisi pas 12 ankesave për zvarritje të përsëritur në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Raporti i inspektorëve të ILD-së evidentoi vonesa të rënda, me vendime të mbetura pa u zbardhur deri në 4 vite, për periudhën 2021–2023.
Sipas ILD-së, mosrespektimi i afateve ligjore nuk ishte një rast i izoluar, por një model i përsëritur që ka sjellë vonesa në ankime dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, duke u cilësuar si “drejtësi e mohuar”.
Megjithëse gjyqtari u justifikua me ngarkesën në punë dhe gjendjen e sistemit gjyqësor, analiza e inspektorëve konkludoi se ai nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe funksionale. Për këtë arsye, ILD e cilësoi sjelljen e tij si shkelje të rëndë disiplinore dhe rekomandoi një masë financiare.
Por KLGJ, duke marrë parasysh eksperiencën e pakët pesëvjeçare të gjyqtarit në sistem, vendosi ndaj tij vërejtje publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




