Dëshmia para Kongresit për çështjen “Epstein”, familja Clinton kërkon që seanca dëgjimore të jetë publike

Botë | 8 muaj më parë

Pasi pranuan që të dëshmojnë para Kongresit amerikan lidhur me çështjen “Epstein”, ish-presidenti amerikan Bill Klinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, kërkuan që ajo të jetë publike.

Ish-çifti presidencial demokrat u thirr të jepte dëshmi me dyer të mbyllura para komitetit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i drejtuar nga republikanët, që po heton lidhjet e Epstein me figura të fuqishme dhe mënyrën se si është trajtuar informacioni rreth krimeve të tij. Bill Clinton theksoi se një seancë e mbyllur mund të përdoret për qëllime politike, ndërsa Hillary Clinton deklaroi se çifti kishte ndarë tashmë atë që dinë rreth asaj çështjeje.

“Nëse e doni këtë betejë, le ta bëjmë publikisht”- tha ish-sekretarja e Shtetit , – Ju pëlqen të flisni për transparencën. Nuk ka asgjë më transparente se një seancë dëgjimore publike, me kamera të ndezura. Ne do të jemi atje.”- theksoi ajo.

Ish-presidenti Clinton dhe një sërë figurash të rëndsishme botërore, përfshirë kreun e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, kanë patur një marrëdhënie të mirë me Jeffrey Epstein në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000.

Të dy përmenden dhe kanë fotografi në dosjet e çështjes Epstein të publikuara nga  Departamentit të Drejtësisë, por as Trump dhe as Clinton nuk janë akuzuar për ndonjë shkelje në ndërveprimet e tyre me financierin e ndjerë.

Ish- çifti presidencial tha se nuk ka patur dijeni se Epstein abuzonte seksualisht me vajza të mitura përpara se prokurorët të ngrinin akuza kundër tij.

Sipas FOX News, Hillary Clinton do të dëshmojë para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve më 26 shkurt, ndërsa bashkëshorti i saj, Bill Clinton do të paraqitet më 27 shkurt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme