Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Rama: S’gjeti dot forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë. Shembulli i parë i një budallallëku botëror

Aktualitet | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministren Belinda Balluku. Në Podcastin e tij “Flasim”, Rama tha se me këtë vendim, Shqipëria është bërë “shembulli i parë i një budallallëku botëror”.

“Nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake, pa filluar akoma gjyqi. Shqipëria bëhet për herë të dytë në 2 muaji shembulli i parë i një budallallëku botëror. Gjykata Kushtetuese u mbyt në lugën e ujit të turbullt të atyre që Servantes në librin “Don Kishoti i Mançës”, arsyet e mosrasyes”, tha Rama.

Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses e kthen në fuqi vendimin e GJKKO-së, duke e quajtur këtë “shpikje 100% Made in Albania” të drejtësisë së re, ende të papjekur. Rama paralajmëroi se kjo situatë rrezikon pavarësinë e ekzekutivit dhe parlamentit nga pushteti gjyqësor.

Kryeministri u shpreh se beteja për zhbërjen e këtij precedenti do të vazhdojë, duke theksuar se “në asnjë vend të botës nuk gjendet një rast i ngjashëm”.

“Mos vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres e cila, e cila nuk akuzohet për korrupsion as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e një anëtari të qeverisë. Zhbërja e kësaj shpikje 100% made in Albania e drejtësisë së re dhe ende të papjekur shqiptare mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive dhe të parlamentit nga pushteti gjyqësor. Ne do ta vijojmë këtë betejë për të marrë një vendim sa të thjeshtë, është vendim i thjeshtë se mjafton të marrësh si shembull çdo vend të botës dhe nuk do gjesh dot një gjë të ngjashme, pro një vendim edhe aq të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin  e vetëm nën planet ku sot, me këtë brutalitet të ri, vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, theksoi ai.

Rama kritikoi gjithashtu fenomenin e “arresteve pa gjyq”, duke përmendur rastin e Durrësit me mbi 30 urdhër-arreste, dhe deklaroi se lufta për drejtësi dhe shtet ligjor ka vetëm një garant: “mua dhe këtë shumicë qeverisëse”.

“Kujtdo që ka vënë buzën në gaz pas mosvendimit të Kushtetutës dhe fërkon duart me arrestet pa gjyq që arritën një kulm të ri me 30 e kusur urdhër arreste të prera nga një prokuror në Durrës që nuk paraburgosi vetëm veten e vet për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht nga ato që KE dhe drejtësia demoktratike parashikon si kushte të domosdoshme për një arrest, i futi në një thes, i them kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re do të prodhojnë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisës të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë e natë sepse nuk kupton atë që lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë në BE ka vetëm një  garant ende sot për sot: mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, deklaroi Rama.                                             

/rtsh.al/                                             


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme