Pagat e gjyqtarëve, Rama: Arsyetim i pajustifikuar logjikisht. S’mund të kenë rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët
Kryeministri Edi Rama është rikthyer te debati për pagat e gjyqtarëve në podcastin e tij “Flasim”, duke e cilësuar si një çështje që ka prodhuar “shumë komente, çudira dhe absurditete”.
Rama tha se përmes disa shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo kategori është vendosur në “syrin e ciklonit popullor”, pasi, sipas tij, sondazhet e brendshme tregojnë se rreth 90% e shqiptarëve kundërshtojnë idenë e rritjes së pagave për gjyqtarët.
“Ne i kemi rritur pagat e gjyqtarëve mbi të gjithë, si një sakrificë e taksapaguesve shqiptarë për të garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Por kjo nuk do të thotë që sa herë rriten pagat e të tjerëve, duhet të rriten edhe pagat e gjyqtarëve. Shqipëria nuk mund të bëhet vendi i vetëm ku mbi të gjithë është kasta e gjyqtarëve,” tha Rama.
Ai shtoi se kërkesat për rritje të mëtejshme të pagave, duke përmendur shifra deri në 2 mijë apo 3 mijë euro shtesë në muaj, janë të pajustifikueshme dhe nuk do të ndodhin. Kryeministri theksoi se nuk ka asgjë personale me gjyqtarët, por se ata duhet të kenë “sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit” dhe të mos përdorin pozicionin e tyre për të ushtruar presion politik.
“Ka një piramidë pagash, e cila fillon me Presidentin e Republikës dhe zbret. Ndërkohë që, në mënyrën më të vetëdijshme pagat e gjyqtarëve, ne i rritëm mbi të gjithë. I rritëm mbi të gjithë për ato arsye që thashë, por nuk i vendosëm mbi të gjithë me idenë që sa herë do rriten këto, do rriten dhe këto dhe që Shqipëria do t’u bëka vendi i vetëm në planet ku mbi të gjithë, dhe të gjitha është kasta e gjykatësve. Kjo nuk mund të ndodhë dhe kjo nuk ka për të ndodhur. Të paktën jo me mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë si shumicë qeverisëse dhe jo në asnjë mënyrë, si një sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si një thirrje, si një domosdoshmëri e brendshme e shtetit që të gjitha kategoritë e shërbëtorëve të tij, përfshirë dhe gjykatësit të kenë sensin e së drejtës dhe sensin e shtetit, duke mos kërkuar “qiqra në hell’ as më tepër pastaj, duke përdorur dhe gurin dhe arrën që gjykatësit kanë në dorë vetë. Kjo është shumë e thjeshtë dhe kjo është dhe arsyeja pse unë nuk kam hyrë në asnjë polemikë, me asnjë person se nuk ka asgjë personale në këtë, ndërkohë që siç ndodhi, jam sulmuar personalisht dhe është sulmuar qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur që nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit për tekstin se jam i sigurtë që do t’i thoshin ‘Ej, po çfarë po bëni, ne jemi këtu për të kërkuar diçka për veten tonë, por nuk jemi këtu për të bërë politikë dhe për të sulmuar qeverinë e kësaj republike si të ishim parti politike’, apo jo?”, shtoi ai.
Rama e mbylli reagimin duke nënvizuar se qeveria nuk do të lejojë që gjyqtarët të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjitha kategoritë e tjera të administratës.
“Gjithsesi, mendoj që pozitive është që nuk ka pasur reagim të reagimit tim. Nuk dua të bëj polemikë, dua vetëm të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të gjithë të tjerët, dhe gjykatësit nuk mund ta rrisin pagën e tyre me 2 mijë dhe 3 mijë euro në muaj, plus nga ajo që marrin, që është më e lartë sesa ç’marrin sot të gjithë të tjerët”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




