Rama komenton rihapjen e TikTok: Rezultat i një procesi serioz, jo dorëzim

Aktualitet | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka folur në podcastin e tij “Flasim” për vendimin e Këshillit të Ministrave që hoqi masën e bllokimit të TikTok, pas një viti mbyllje. Ai theksoi se ky vendim nuk është tërheqje apo dorëzim, por rezultat i një procesi të gjatë dialogu dhe rishikimi me kompaninë.

“Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin. Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash!

Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë”, tha Rama.

Ai sqaroi se qëllimi i bllokimit ka qenë interesi publik dhe mbrojtja e fëmijëve, ndërsa tashmë janë vendosur mekanizma të rinj sigurie: filtra mbi përmbajtjen, kontrolle efektive dhe mënyra raportimi e trajtimi të shkeljeve.

“Qëllimi i bllokimit ishte interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme