Dhunohet në Vlorë Kujtim Cakrani, avokati i ish-presidentit Ilir Meta: Më goditën nga pas në kokë, nuk i pashë kush ishin

Aktualitet | 8 muaj më parë

Avokati Kujtim Cakrani, njëherazi mbrojtës ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar mesditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.

Sipas deklarimeve të vetë Cakranit, dy persona të rinj, të panjohur për të, e kanë sulmuar teksa ai po furnizohej me karburant. Fillimisht, ata e kanë ofenduar, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas provokimeve lidhur me një parkim, edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku real i ngjarjes.

Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur nga pas në kokë, në momentin kur ndodhej i ulur në automjet. Si pasojë, Cakrani ka pësuar dëmtime serioze në kokë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.

“Me njeri po bisedoja dhe njëri më goditi pas koke dhe unë nuk e pash. Më ka ndodhur në një karburant në hyrje të Vlorës. Erdhën aty provokuan dhe pastaj filluan të ofendonin dhe ky ishte i gjithë debati dhe pastaj më goditën pas koke, se unë isha ulur në makinë. Debati filloi me provokime jo pse e ke ndaluar makinën keq, ke bllokuar të gjithë rrugën. Nuk i njoh personat, por të dy ishin moshë e re”, deklaroi avokati nga shtrati i spitalit.

Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e tij është serioze, ndërkohë pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe përfaqësuesve të policisë, të cilët po marrin dëshminë e tij dhe po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme