Deklarata përmbyllëse në Hagë, kryeprokurorja e Speciales kërkon 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së

Kosovë | 8 muaj më parë

Ka nisur sot faza përmbyllëse e gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West ka kërkuar 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, konkretisht nga 45 vite për secilin.

Zëdhënësi i Gjykatës, Christopher Bennet ka deklaruar për REL se bëhet fjalë për kërkesë për dënim prej 45 vjetësh për secilin prej të akuzuarve, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare në seancën e sotme (9 shkurt) të këtij procesi gjyqësor West deklaroi se akuzat ndaj katërshes janë të rënda, pasi janë krime kundër njerëzimit.

“ZPS-ja kërkon vendim dënimin për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 viteve mbështetur në kontributet individuale të krimeve, të kryera apo të bëra prej secilit prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli,  Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ”, tha ajo në kërkesën e saj.

Ëest tha se Gjykata e Hagës ka dëshmuar se klima e frikësimit të dëshmitarëve mund të menaxhohet, ndërsa shtoi se “pavarësisht frikësimeve, kërcënimeve, stigmave dhe situatave më të cilat janë përballur këta dëshmitarë dhe familjet e tyre nga një grup i kufizuar por me zë në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dal në pah”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës. Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme