Dështojnë planet për ngjarje të rëndë kriminale në Vlorë? Policia zbulon bazën në Babicë, sekuestrohen makina të vjedhura dhe benzinë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Policia e Vlorës dyshohet se ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale pas një operacioni të zhvilluar në fshatin Babicë e Madhe. Falë informacioneve në rrugë operative dhe një pune të thelluar hetimore, uniformat blu kanë zbuluar dy automjete të vjedhura që ishin fshehur me kujdes në një ullishte, gati për t’u përdorur.

Burime zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bëjnë me dije se mjetet e sekuestruara janë një “Nissan” dhe një “Audi Q5”, të dyja me targa të huaja.

Ajo që shton dyshimet se mjetet po bëheshin gati për një goditje kriminale, është gjetja e tre bidonëve me lëndë djegëse (benzinë) brenda tyre, një metodë kjo e njohur e grupeve kriminale për të djegur provat pas kryerjes së krimeve.

“Strukturat e hetimit, bazuar në informacione operative, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe,” thuhet në njoftimin e policisë.

Aktualisht, automjetet i janë nënshtruar ekzaminimeve shkencore për të gjetur gjurmë të mundshme (ADN ose gjurmë gishtash) që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur dinamikën dhe shënjestrën e mundshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme