Haga kërkon 45 vjet burg për krerët e UÇK-së, reagon Presidentja Osmani: Lufta jonë ishte e pastër, gjenocidin e bëri Serbia

Kosovë | 8 muaj më parë

Kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për të dënuar me nga 45 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Presidentes Vjosa Osmani. Kreu i shtetit ka dalë në mbrojtje të luftës çlirimtare, duke e cilësuar atë të paprekshme dhe duke refuzuar çdo tentativë për barazim me krimet e Serbisë.

Në një deklaratë publike, Presidentja Osmani theksoi se lufta e UÇK-së mbetet një kapitull i ndritur i historisë së Kosovës, pavarësisht proceseve gjyqësore.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur e zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri,” u shpreh Osmani.

Ajo paralajmëroi se çdo përpjekje për të vënë shenjën e barazimit mes mbrojtësve të Kosovës dhe agresionit shtetëror serb, jo vetëm që minon besimin te drejtësia ndërkombëtare, por rrezikon edhe paqen afatgjatë në rajon.

Kujtesa mbi krimet serbe

Përballë akuzave në Hagë, Presidentja solli në vëmendje bilancin tragjik të shkaktuar nga aparati shtetëror i Serbisë gjatë luftës së fundit. Ajo nënvizoi se Serbia kishte një qëllim të qartë shfarosës ndaj shqiptarëve.

“Qëllimi u shpërfaq nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijëra fëmijëve, grave e të moshuarve, dhunimeve masive, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive dhe dëbimit të mbi 80% të qytetarëve nga vatrat e tyre,” tha Osmani, duke e cilësuar Serbinë si “agresor gjenocidal”.

Kërkesa tronditëse e Prokurorisë

Reagimi i Presidentes erdhi pas seancës së sotme në Dhomat e Specializuara, ku Kryeprokurorja Kimberly West shpalosi fjalën përfundimtare. Ajo kërkoi dënime të rënda për katërshen e UÇK-së.

“ZPS-ja kërkon vendim dënimin për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 viteve burgim,” deklaroi West.

Kjo kërkesë prek ish-Presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesit e tjerë të lartë: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar kategorikisht që në fillim të procesit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme