Rriten pagat dhe shpërblimet për mjekët e infermierët, ja sa do të paguhen për turnet dhe si do llogaritet shtesa e vjetërsisë në punë në 2026

Shëndet | 8 muaj më parë

Qeveria ka miratuar paketën e re të trajtimit financiar për punonjësit e sistemit shëndetësor, e cila përfshin rritje pagash përmes indeksimit, por edhe rritje të ndjeshme të bonuseve për rojet, urgjencat dhe vjetërsinë në punë. Vendimi prek jo vetëm spitalet publike, por edhe personelin mjekësor në Burgje dhe Policinë e Shtetit.

Sipas vendimit që hyn në fuqi për efektet e buxhetit të vitit 2026, ndryshimet kryesore janë rritja e pagës dhe indeksimi.

Për shumicën e pozicioneve në sistemin shëndetësor do të aplikohet një indeksim prej 2.5% (për të përballuar inflacionin). Megjithatë, për disa pozicione specifike të niveleve bazë dhe të mesme, rritja do të jetë më e lartë se 2.5%, si pjesë e politikës së rritjes së pagave.

Shtesa e vjetërsisë në punë (bonusi i ri)

Ndryshon edhe formula e llogaritjes së vjetërsisë, duke favorizuar ata me shumë vite eksperiencë. Shtesa mbi pagën e pozicionit do të jetë:

0.6% për çdo vit pune (për 10 vitet e para).

0.8% për çdo vit pune (për vitet 11–20).

1% për çdo vit pune (për vitet 21–30).

Bonusi për urgjencat dhe reanimacionin

Mjekët dhe infermierët që punojnë në vijën e parë të rrezikut do të marrin një shtesë fikse mujore të konsiderueshme. 18,000 lekë/muaj për mjekët në Urgjencë, Reanimacion, Hemodinamikë, Njësinë e Aksidenteve Cerebrale (Stroke) dhe Neonatologji.

12,000 lekë/muaj për infermierët, teknikët e imazherisë/laboratorit në të njëjtat shërbime, si dhe për stafin e Urgjencës Kombëtare (127).

Pagesat për rojet dhe turnet do të rriten për orët shtesë dhe shërbimin e rojës.

Për mjekët, një turn 24-orësh do të paguhet 2,700 lekë (ditë e zakonshme), 2,900 lekë (e shtunë) dhe 3,200 lekë (e diel/festë).

Për infermierët, një turn 24-orësh do të paguhet 2,000 lekë (ditë e zakonshme), 2,500 lekë (e shtunë) dhe 3,000 lekë (e diel/festë).

Gjithashtu, zonat e Fushë-Arrësit dhe Përrenjasit i shtohen listës së zonave të vështira që përfitojnë trajtim preferencial financiar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme