Haga kërkon 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, Kurti: Bënë luftë të drejtë, rrezikohet të deformohet e vërteta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti theksoi se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare, e zhvilluar në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë plan për shfarosjen e ndonjë populli tjetër dhe se po rrezikohet të deformohet e vërteta e luftës për çlirim.
“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror. Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte. Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, shkruan Kurti.
Sipas Kurtit, UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, shkruan Kurti.
Në fazën përmbyllëse të gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeprokurorja Kimberly West kërkoi 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, konkretisht nga 45 vite për secilin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




