KQZ certifikon rezultatin e “28 Dhjetorit” – I hapet rrugë krijimit të institucioneve të reja në Kosovë

Kosovë | 8 muaj më parë

Me 11 vota pro, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë certifikuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Votë pro dhanë edhe dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Sami Kurteshi, përmendi Listën Serbe dhe rezervat partia e tij ka ndaj subjektit që përfaqëson komuniteti serb në Kosovë.

Qëndrim të ngjashëm adresoi edhe Arianit Elshani nga PDK, ndërsa kërkoi që të ndryshohet Ligji për Zgjedhje për të adresuar problematikat e hasura lidhur me  votimin me postë dhe numërimin e votave, veçanërisht të kandidatëve për deputetë, proces për të cilin kreu i KQZ, Kreshik Radoniqi tha se duhet të përfshihet edhe institucioni i administrimit te zgjedhjeve.  

Në bazë të rezultatit të certifikuar, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me mbi 51 për qind të votave dhe duke siguruar 57 deputetë në Kuvend. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 20.19 për qind të votave e përkthyer në mandate janë 22 deputetë, kjo parti pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.24 për qind apo 15 deputetë, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 5.50 për qind të votave ose 6 mandate deputetësh.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë deputetë i fitoi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiç. Ndërkaq, minoritetet jo serbe fitoi 10 mandate.

Procesi i certifikimit erdhi pas rinumërimit të plotë të votave të rregullta, ndërsa hapin i radhës është konstituimi i Kuvendit. Seanca duhet të thirret brenda 30 ditësh nga presidentja e Kosovës dhe më pas krijimi i qeverisë së re, ku Vjosa Osmani duhet të mandatojë për kryeministër një përfaqësues të partisë fituese. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme