Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse për ish-krerët e UÇK-së, Kryeprokurorja West: Thaçi ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal

Sot po zhvillohet dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.
Katër ish-krerët e UÇK-së, po gjykohen në Gjykatën e Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa vetë ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat kundrejt tyre.
Një ditë më parë, Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West ka kërkuar 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, konkretisht nga 45 vite për secilin prej të akuzuarve, duke argumentuar se ata kanë pasur rol udhëheqës si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendimin, me mundësi zgjatjeje të këtij afati.
Në fjalën e saj, në ditën e dytë të deklaratave përmbyllëse, Kyeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West, ka deklaruar se Hashim Thaçi ka mashtruar disa herë përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke ndikuar në perceptimin e tyre për strukturën komanduese dhe funksionimin real të UÇK-së.
Sipas West, figura si James Rubin dhe Wesley Clark nuk ishin në dijeni të ndikimit real të Thaçit në emërimet ushtarake, pasi ai, sipas pretendimeve, kishte aftësinë të maskonte realitetin në terren, çka ndikoi drejtpërdrejt në vlerësimet e tyre.
West pretendon se Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i një qëllimi të përbashkët kriminal, duke iu referuar deklarimeve të tij ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në këtë kuadër, është përmendur Komunikata 53 e UÇK-së, e datës 18 shtator 1998, ku përmenden zona dhe individë që, sipas Prokurorisë, cilësoheshin si pengesë për kontrollin e UÇK-së. Sipas saj, kjo komunikatë përbënte mesazh kërcënues ndaj atyre që nuk ishin nën autoritetin e saj.
Prokuroria ka theksuar se kontributi i Thaçit nuk mund të konsiderohet neutral, duke pretenduar se ekzistojnë prova për kërcënime, marrje në pyetje dhe dhunë, përfshirë rastet e përmendura në Qirez.
Sipas West, të katër të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në deklaratë u tha se ish-krerët e UÇK-sw kanë koordinuar veprimet e tyre, kanë shpërndarë qëllimin e përbashkët kriminal, dhe kanë mohuar veprat penale për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar.
Hashim Thaçi është përshkruar si një nga themeluesit e UÇK-së, duke iu referuar edhe deklaratave të ish-bashkëpunëtorit të tij, Azem Syla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




