Reshjet e dendura përmbytin disa zona në Lezhë, probleme edhe me energjinë elektrike
Reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar përmbytje në disa zona urbane. Sistemi i kanalizimeve nëntokësore nuk ka arritur të përballojë nivelin e lartë të prurjeve, çka ka bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të përmbytë rrugë e hapësira mes pallateve.
Më problematike paraqiten blloqet e banimit “11 Janari” dhe zona “11.2 hektarë” në lagjen Besëlidhja, ku prania e ujit në rrugë ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.
Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Policia Bashkiake ka bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore, duke orientuar drejtuesit e mjeteve drejt rrugëve alternative, me qëllim garantimin e sigurisë dhe shmangien e incidenteve.
Në ngadalësimin e largimit të ujërave ka ndikuar edhe projekti i nisur prej disa muajsh për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili synon zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në qytet.
Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale. Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



