Më 24 shkurt Kievi shpall planet për zgjedhjet – “Financial Times”: Zelensky përgatitje edhe për një referendum për marrëveshjen e paqes

Botë | 8 muaj më parë

Duke cituar zyrtarë ukrainas dhe evropianë, “Financial Times” raportoi se Ukraina ka filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe një referendumi mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, pasi administrata e Presidentit amerikan Donald Trump, kërkoi që votimi të organizohej deri më 15 maj, duke kërcënuar se në të kundërt do ta privonte Kievin nga garancitë e sigurisë.

Sipas gazetës britanike, detajet e planit, presidenti Zelenski pritet t’i shpallë më 24 shkurt, ditën kur shënohet përvjetori i katërt i nisjes së pushtimit rus. Fundjavën e kaluar presidenti ukrainas deklaroi se me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin amerikan, Uashingtoni kërkon që të gjendet një zgjidhje se si t’i jepet fund luftës deri në qershor.

Mbajtja e zgjedhjeve në pranverë do të shënonte një kthesë të fortë politike për liderin ukrainas, i cili ka argumentuar vazhdimisht se procese të tilla zgjedhore janë të pamundura, pasi vendi ka ende në fuqi ligjin e luftës, miliona ukrainas janë zhvendosur dhe rreth 20 përqind e vendit është pushtuar nga Rusia.

Në Kiev, agjencia shtetërore e lajmeve ukrainase “Ukrinform”, citoi burime nga zyra e Presidentit, të cilat thanë se zgjedhjet nuk kundërshtohen nga askush, por fillimisht duhet garantuar siguria. “Nëse rusët vazhdojnë të vrasin çdo ditë njerëz, si mund t’i shpallim ose të shqyrtojmë seriozisht mbajtjen e zgjedhjeve në javët e ardhshme? – tha burimi presidencial.

Ndërkohë, botimi online “Kyiv Independent” raportoi, duke cituar burime po nga presidenca ukrainase, se deri më tani, Zelenskyy nuk ka planifikuar të shpallë zgjedhje presidenciale ose një referendum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë më 24 shkurt.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme