Konstituohet parlamenti i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit

Kosovë | 8 muaj më parë

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë. Ajo fitoi shumicën e votave në seancën konstituive të parlamentit, duke marrë 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbajt pasditen e sotme, 11 shkurt, duke shënuar hapin e parë procedural drejt formimit të institucioneve të reja për legjislaturën e dhjetë.

Mbledhjen e udhëhoqi deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë fjalës së saj në sallën plenare, theksoi rëndësinë e debatit të lirë dhe të përgjegjshëm, si rezultat i sakrificës së madhe të popullit për liri, përfshirë luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e grave e burrave që dhanë gjithçka për vendin.

“Hapja e debatit sot në Kuvend pasditen e sotme është e mundur për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë. Historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e qartë: lufta ka qenë për çlirim, agresori dihet dhe krimet e kryera nga Serbia janë të dokumentuara dhe të dëshmuara ndërkombëtarisht,” tha Haxhiu.

Ajo shtoi se pret kthimin e ish-krerëve të UÇK-së tek familjet e tyre dhe përfundimin sa më parë të procesit gjyqësor. Haxhiu falënderoi deputetët për besimin në udhëheqjen e legjislaturës së dhjetë, duke theksuar se do të ushtrojë detyrën me përkushtim, transparencë dhe respekt për vullnetin e qytetarëve.

“Ky besim do ta nderoj me punë të përditshme dhe përkushtim të plotë ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës,” përfundoi Kryetarja e Kuvendit.

Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit për herë të parë në këtë legjislaturë, megjithëse ishte kandiduar edhe më herët gjatë përpjekjeve për formimin e legjislaturës së nëntë, përpjekje këto që përfunduan me zgjedhje të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor 2025 ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje siguroi mbi 51% të votave dhe 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 6 ulëse. 20 ulëse janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme