Kreu i Policisë së Shtetit nderon dy efektivët që neutralizuan grabitësin e bankës në Tiranë
Reagimi i shpejtë dhe profesionalizmi i treguar përballë një situate me rrezikshmëri të lartë, është vlerësuar personalisht ditën e sotme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda.
Numri një i uniformave blu, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë Vendore të Tiranës, Drejtues Elton Alushi, zhvilloi një takim në Komisariatin e Policisë Nr. 2, për të falënderuar dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor Ermal Çeku dhe Inspektor Eduart Saliko.
Dy efektivët u bënë protagonistë të një operacioni të suksesshëm paraditen e së enjtes, kur arritën të neutralizonin në kohë rekord autorin e armatosur të një grabitjeje në një filial banke. Ndërhyrja e tyre jo vetëm që parandaloi arratisjen e autorit me shumën e parave, por shmangu edhe rrezikun serioz për jetën e punonjësve të bankës dhe qytetarëve të pranishëm.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm
Gjatë fjalës së mbajtur para trupës policore të Komisariatit Nr. 2, Drejtori Proda e cilësoi aktin e dy kolegëve jo thjesht si një detyrë të kryer, por si një standard të ri për Policinë e Shtetit.
“Përballë një personi të armatosur, vepruat me vendosmëri dhe kontroll të plotë të situatës, duke neutralizuar autorin, si dhe duke sekuestruar armën e zjarrit dhe shumën e parave të grabitura,” u shpreh Proda duke iu drejtuar dy inspektorëve.
Sipas kreut të Policisë, veprime të tilla janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i publikut tek institucioni.
“Këto janë veprime që nderojnë uniformën, forcojnë autoritetin e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin e qytetarëve tek institucioni ynë,” theksoi ai.
Modeli i policit në shërbim
Takimi shërbeu gjithashtu për të përcjellë një mesazh inkurajimi për të gjithë efektivët e policisë. Duke shprehur krenarinë për Inspektorët Çeku dhe Saliko, Proda nënvizoi se ata mishërojnë vlerat më të larta të organizatës: profesionalizmin, guximin dhe përgjegjshmërinë.
“Jepni gjithmonë më të mirën tuaj në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit,” ishte apeli përmbyllës i Drejtorit të Përgjithshëm, duke konfirmuar mbështetjen e hierarkisë për çdo punonjës që tregon dedikim në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



