Lideri historik i AAK, Ramush Haradinaj jep dorëheqjen si kryetar i partisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i liderit të partisë dhe nuk do të kandidojë për një mandat tjetër. Ai shpalli zgjedhjet e brendshme partiake që do të zhvillohen nga 20 shkurti deri më 6 qershor.
Haradinaj, i cili ka drejtuar AAK-në që nga themelimi i saj, tha se vendimi për të mos rikandiduar është i bazuar në tri arsye: koha e gjatë në udhëheqje, rezultatet e dobëta në zgjedhje dhe besimi tek forcat e reja të partisë.
“Ne sapo kemi përfunduar takimin e 177-të të Këshillit të Përgjithshëm. I kemi dakorduar vendimet për trupat zgjedhore që i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm, dhe po ashtu i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet. Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor. Pra, orientimi ynë për Kuvendin është afati statutor katërvjeçar, me zgjedhje të rregullta. Është një situatë vërtet e mirë që me kohë i kemi bërë përgatitjet më të mira për këto zgjedhje”, tha ai në një deklaratë në facebook.
Ai sqaroi se ky është një moment i rëndësishëm për të rinovuar strukturat e partisë dhe për t’i dhënë mundësi të reja udhëheqësve të ardhshëm. Gjithashtu, Haradinaj hodhi poshtë spekulimet për një kandidaturë të mundshme për President.
“Njëkohësisht, e di që është një risi dhe ndryshim fakti që nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam treguar edhe kolegëve disa arsye, të cilat po i shpjegoj edhe juve. Një faktor është koha e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, më pas edhe rezultati jo i mirë nga zgjedhjet. Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse deputetët do të kërkonin ndonjë qëndrim nga unë, mund ta shqyrtoja, por për momentin nuk kemi një vendim të qartë”, deklaroi ai.
Ramush Haradinaj ka udhëhequr AAK-në që nga themelimi dhe ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.
Rrugëtimi i pazakontë i Ramush Haradinajt, komandantit që ndërroi uniformën me politikën
Ramush Haradinaj, nga një komandant gueril legjendar, në një Kryeministër që dy herë u detyrua të lërë zyrën për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. Pas shpërbërjes së UÇK-së dhe shërbimit si zëvendëskomandant i TMK-së, ai themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në vitin 2000.
Momenti i tij më i madh politik erdhi në vitin 2004, kur theu tabutë e pasluftës duke formuar koalicion me Ibrahim Rugovën e LDK-së. Ky “pajtim” solli stabilitet dhe e bëri Haradinajn kryeministër.
Haga dhe dorëheqjet
Megjithatë, karriera e tij ekzekutive ka qenë gjithmonë e ndërprerë. Më 8 mars 2005, vetëm 100 ditë pas marrjes së detyrës, ai dha dorëheqje pas publikimit të aktakuzës për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
Haradinaj kaloi vite në procese gjyqësore, duke u liruar dhe rigjykuar, për t’u rikthyer sërish në politikë. Historia u përsërit në vitin 2020, kur si Kryeministër (i zgjedhur në 2017), dha sërish dorëheqje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.
Ramush Haradinaj mbetet një nga figurat më komplekse të Kosovës: një lider që ka parë tmerret e luftës, ka prekur majat e pushtetit dhe ka kaluar përmes filtri të hekurt të drejtësisë ndërkombëtare, duke mbetur një faktor kyç në skenën politike të Prishtinës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




