Ministrja Koçiu prezanton Kryeinspektorin e ri të IKMT: Kontrolli i ligjshmërisë dhe bashkëpunimi, prioritet i këtij institucioni

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot Afrim Qëndron si Kryeinspektorin e ri të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), duke zëvendësuar Dallëndyshe Bicin. Qëndro ka shërbyer më parë si Prefekt i Qarkut Tiranë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e rolit të ri të Kryeinspektorit.
“Ky funksion mbart sfida, por edhe përgjegjësi të mëdha në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e territorit. Afrimi vjen me një eksperiencë të jashtëzakonshme në institucionet publike dhe ka treguar se di të ndërtojë ekipe profesionale dhe të sigurojë që detyrat të respektohen dhe zbatohen siç duhet“, tha ministrja.
Emërimi i Qëndros vjen në një moment kyç për forcimin e rolit të IKMT-së në garantimin e ligjshmërisë në territor dhe në luftën kundër çdo paligjshmërie në fushën e ndërtimeve dhe administrimit të hapësirës publike.
Nga ana e tij, Kryeinspektori Qëndro premtoi angazhim të plotë për forcimin e kapaciteteve të institucionit, bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe qendrore, si dhe transparencë të plotë në ushtrimin e detyrës.
“E konsideroj këtë detyrë si një vlerësim dhe besim të shtuar. Kontrolli mbi territorin për parandalimin e shkeljeve është më i rëndësishëm se prishja e objekteve pa leje. Puna e ekipit duhet të jetë përgjegjëse, transparente dhe gjithmonë në funksion të ligjit“, tha kryeinspektori.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




