Britania: Rusia vrau Alexei Navalny duke përdorur toksinë bretkose shigjetë. Kremlini hedh poshtë akuzat

Dy vjet pas vdekjes së liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende evropiane kanë deklaruar se ai u vra me një helm të zhvilluar nga epibatidina – një toksinë e rrallë që gjendet te bretkosat shigjetë në Amerikën e Jugut.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretarja e Jashtme britanike Yvette Cooper tha se “vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë” për të përdorur këtë helm ndaj Navalny-t, i cili ishte i burgosur në një koloni penale në Siberi.
Një deklaratë e përbashkët u publikua nga Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Franca, Gjermania dhe Holanda, ku thuhet se Rusia mban përgjegjësi për vdekjen e tij. Londra ka informuar gjithashtu Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike për një shkelje të dyshuar të Konventës për Armët Kimike.
Moska i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si “fushatë informative”.
Navalny, 47 vjeç, vdiq më 16 shkurt 2024 në një koloni penale në Arktik, ku po vuante një dënim me burg. Në vitin 2020 ai ishte helmuar me agjentin nervor Novichok dhe ishte trajtuar në Gjermani, përpara se të arrestohej pas kthimit në Rusi.
E veja e tij, Yulia Navalnaya, tha se gjithmonë kishte besuar se bashkëshorti i saj ishte helmuar dhe se tashmë ka prova për këtë.
Sipas ekspertëve të toksikologjisë, epibatidina është rreth 200 herë më e fuqishme se morfina dhe mund të shkaktojë paralizë, dështim të frymëmarrjes dhe vdekje. Toksina është jashtëzakonisht e rrallë dhe nuk gjendet natyrshëm në Rusi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




