Transportonte me “BMW” emigrantët e paligjshëm kundrejt 2.5 mijë eurove, arrestohet 35-vjeçarja
Policia e Shtetit ka finalizuar fazën e shtatë të operacionit të koduar “Relay”, duke arrestuar një 35-vjeçare që transportonte emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas njoftimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, pas një informacioni të marrë në rrugë operative, organizuan operacionin “Relay 7”, ku u vu në pranga shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë.
Ajo u kap në flagrancë në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë. Nga hetimet dyshohet se 35-vjeçarja iu kishte marrë secilit prej emigrantëve 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte ilegalisht në Itali.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti tip “BMW”, me të cilin kryhej transporti i emigrantëve.
Policia njofton se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Me origjinë nga Laçi dhe banuese në Rrogozhinë, e arrestuara nuk ka pranuar të flasë përpara grupit hetimor, duke mos zbuluar rrjetin e trafikantëve që kalojnë emigrantët nga vendet e botës së tretë, përmes Shqipërisë, drejt Malit të Zi.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Çoba iu merrte emigrantëve nga 2500 euro secilit, duke i transportuar nga Gjirokastra deri në pikën kufitare të Muriqanit. Sipas skemës, emigrantët ndalonin për disa orë në Vorë, më pas shpërndaheshin në makina të tjera dhe dërgoheshin drejt Shkodrës, ku rrjeti kriminal i kalonte në Mal të Zi, me destinacion final Italinë.
Policia dyshon se të paktën dy persona të tjerë janë të përfshirë në të njëjtin grup dhe po hetohen për rolin e tyre. Nga të dhënat e mbledhura, Çoba merrte deri në tre automjete me qira në Tiranë, Rinas ose Fushë Krujë, për të shmangur vëmendjen e policisë dhe për të kryer shpërndarjen e emigrantëve.
Emigrantët e kapur në këtë operacion janë me origjinë nga Egjipti dhe Jemeni. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, për të zbuluar të gjithë rrjetin e përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Tiranë/Finalizohet faza e shtatë e operacionit të koduar “Relay”.
Arrestohet një 35-vjeçare që transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
35-vjeçarja, dyshohet se iu ka marrë emigrantëve, nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në Itali.
Sekuestrohet automjeti tip “BMW” me të cilin transportoheshin emigrantët.
Si rezultat i një informacioni të marrë për një shtetase e cila do të transportonte disa emigrantë, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Relay 7”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë.
35-vjeçarja u kap në flagrancë, në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se 35-vjeçarja iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




