Lara Colturi për RTSH: Gabova në lëshimin e dytë, shpresoj të jap më të mirën në garën e ardhshme

Teksa emocionoi të gjithë Shqipërinë në lëshimin e parë në slalomin gjigant me atë kohë fantastike, nuk ka shkuar mirë për Lara Colturin lëshimi i dytë. Skiatorja shqiptare ka gabuar në disa porta duke humbur kohë të vlefshme për renditjen e përgjithshme duke u pozicionuar në vendin e 16-të.
Në një intervistë ekskluzive për RTSH menjëherë pas garës, skiatorja e talentuar ka treguar emocionet e kësaj eksperience.
“Është e vërtetë që bëra një lëshim të parë fantastik dhe këtë nuk e kuptova derisa arrita në fund të pistës. Aty kuptova që kisha bërë kohën më të mirë deri në atë moment. Nuk bëra mirë në lëshimin e dytë, dhe nuk e di ende se faji i kujt ishte, i pistës apo i skive. Megjithatë ndjehem shumë mirë mendërisht dhe shpresoj të jap më të mirën time në garën e ardhshme në disiplinën slalom. Do të mundohem të shtyj fort që të arrij një rezultat të mirë.
Ndihem shumë mirë që marr pjesë në këtë Olimpiadë dhe më gëzon fakti që ka kaq shumë njerëz që më mbështesin. Jam e lumtur për faktin se sporti i skive po bëhet popullor në Shqipëri”, ka thënë mes të tjerash Lara Colturi pas garës në slalomin gjigant në Lojërat Olimpike, Milano Cortina 2026, që po transmetohen ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




