Mblidhet grupi i PS për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Manja: Plotësojmë një boshllëk ligjor, nuk cenohet pavarësia e gjyqësorit
Grupi parlamentar i Partia Socialiste e Shqipërisë është mbledhur këtë të hënë (16 shkurt) për të prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për Kodin e Procedurës Penale”, konkretisht në nenin 242, e cila synon forcimin e kufirit të pakalueshëm mes pushtetit gjyqësor dhe dy pushteteve të tjera kushtetuese.
Sipas ndryshimeve të cilat mbajnë firmën e Kryeministrit Edi Rama, kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, në cilësinë e deputetëve, synohet që gjykatat të mos kenë më kompetencë për të pezulluar nga detyra ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë kushtetues.
Si deputet propozues, Ulsi Manja e cilësoi nismën si një veprim normal në funksion të rolit të Parlamentit dhe deputetit. Ai theksoi se kjo ndërhyrje, është e nevojshmë për të plotësuar një boshllëk ligjor.
“Ne, si deputetë propozues në këtë nismë, e konsiderojmë atë një ndërhyrje të nevojshme për të plotësuar një boshllëk ligjor”, u shpreh Manja.
Ai sqaroi se neni 242 i Kodit të Procedurës Penale ka të bëjë me masat ndaluese që mund të caktojë gjykata, konkretisht: pezullimin nga detyra, si masë gjyqësore që garanton hetimin dhe ndalimin e ushtrimit të një veprimtarie të caktuar.
Ai theksoi se, ky ndryshim konsiston kryesisht në në pikën 2 të nenit 242 ku do të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet masa e pezullimit nga ushtrimi i funksionit. Ky rreth do të përfshijë Presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Çfarë propozojmë konkretisht në nenin 242 të kodit të procedurës penale?
Ky nen ka të bëjë me masat ndaluese që ka kodi i procedurës penale che në pikën 1 të këtij neni sqarohet kompetenca që ka gjykata në caktimin e masave ndaluese, që janë 2: pezullimin nga detyra ( që është një masë gjyqësore që garanton hetimin); ndalimin e ushtrimit të një veprimtarie të caktuar (që është përsëri një masë ndaluese por që lidhet me vendimin përfundimtar që shqipton gjykata). Jemi te pezullimi nga detyra”, deklaroi Manja.
Manja theksoi se ushtrimi i funksioneve kushtetuese nuk duhet të pengohet në mënyrë të panevojshme, duke respektuar parimin e balancës institucionale. Sipas tij, projektligji vjen në përputhje me Kushtetutën dhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Ai nënvizoi se ndryshimi i propozuar nuk ndërhyn në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe nuk e kufizon juridiksionin penal, por synon të harmonizojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procesin penal.
Sipas Manjës, parimi i proporcionalitetit respektohet, pasi ndërhyrja është e kufizuar, nuk heq përgjegjësinë penale dhe nuk pengon hetimin, por rregullon një funksion kushtetues.
Projektligji, shtoi ai, nuk cenon pavarësinë e prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa ndjekja penale dhe masat e sigurimit penal mbeten të paprekura nga ky ndryshim. Organet e drejtësisë, përfundoi Manja, do të vijojnë të ushtrojnë kompetencat e tyre në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin.
“Ushtrimi i funksioneve të mos pengohet në mënyrë të panevojshme, duke respektuar parimin e balancës institucionale. Projektligji vjen në përputhje me Kushtetutën dhe me ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Ky ndryshim nuk ndërhyn në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe nuk e kufizon juridiksionin penal, por harmonizon ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procesin penal.
Parimi i proporcionalitetit respektohet, pasi ndërhyrja është e kufizuar, nuk heq përgjegjësinë penale dhe nuk pengon hetimin, por rregullon një funksion kushtetues. Projektligji nuk cenon fare pavarësinë e prokurorisë dhe gjykatave. Ndjekja penale dhe masat e sigurimit penal nuk cenohen nga ky ndryshim. Organet e drejtësisë vijojnë të ushtrojnë kompetencat në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




