KESH nis shkarkimet e kontrolluara në kaskadën e Drinit, rriten nivelet e lumenjve dhe Liqenit. Bashkia Shkodër në gatishmëri për menaxhimin e situatës

Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se prej paradites së sotme kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Si pasojë e shkarkimeve, por edhe për shkak të reshjeve të fundit dhe rritjes së temperaturave, gjatë pasdites është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës. Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të sjellë rritje të mëtejshme të prurjeve, veçanërisht në territorin e Nënshkodrës.
Bashkia Shkodër ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile. “Ekipet janë në terren, në monitorim të pandërprerë dhe në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim,” thuhet në njoftimin e bashkisë.
Në këto kushte, Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme si dhe️ të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



